Det, diell dhe një bregdet i mrekullueshëm
Vlora shtrihet në një gji ku takohen deti Adriatik dhe Jon, që do të thotë se ka një plazh të shkëlqyer dhe ujë të pastër. Gjithashtu, duke pasur me mbi 300 ditë me diell në vit, është e lehtë të kuptohet pse është një plazh shume popullor për pushimet. Por nëse preferoni që plazhi juaj të vijë me një “copëz” qyteti, Vlora është vendi ideal për ju.
Arsyeja kryesore pse Vlora tërheq turistët është sigurisht bukuria e plazheve të saj. Ju mund të shijoni plazhin pranë zonave urbane, për të parë dhe dëgjuar vitalitetin e këtij qyteti. Mund të vizitoni edhe plazhe të tjera si Plepat, Karaburun, Radhimë, Orikum, Dhërmi apo Jalë dhe shumë të tjerë.
Parku Kombëtar i Llogarasë
Llogaraja është një nga parqet natyrore më të rëndësishëm dhe mahnitës në Shqipëri. Parku Kombëtar i Llogarasë, I vendosur në shpatin e malit Llogora, ka një lartësi prej 400 deri në 1300 metra nga niveli i detit, duke mbuluar një sipërfaqe prej 1010 hektarësh. Një horizont i mrekullueshëm hapet nga shpati i Llogorasë, duke ofruar një pamje vërtetë unike të peizazheve të mrekullueshme të rivierës së jugut të Shqipërisë, dicka që mund ta shihni vetem në këtë vend. Është një kryevepër e vërtetë natyrore. Në fakt është një Park Kombëtar i njohur prej vitesh, pjesë e shume librave dhe udhërrëfyesëve turistikë.
Shpati i malit të Llogorasë po ashtu ka një pozicion strategjik. Është i vetmi vendkalim tokësor që bashkon bregdetin e Jonit me gadishullin e Vlorës, madje i përdour edhe në kohët e lashta si kalim. Në këtë parajsë natyrore vetëm maja e malit mund ta shohë diellin. Një nuancë unike dhe me plot mister e mbulon këtë zonë, duke ofruar bukuri të pakrahasueshme dhe duke e bërë Llogaranë një nga mrekullitë e natyrës në Shqipëri.
Ushqimi tradicional
Kuzhina e zonës së Vlorës është tipike për zonat bregdetare, por edhe ato malore. Produktet e qumështit merren nga kafshët që, të cilat rriten në malet buzë detit. Këto janë disa shembuj të pjatave tradicionale shqiptare: Byreku, një produkt me bazë brumi që thërrmohet lehtë e që preferohet nga vlonjatët e mbushur me barishte fushe ose thjesht me produktet e qumështit. Përbërësit më të rëndësishëm të tij janë qumështi i freskët, mielli dhe sigurisht barishtet e fushës. Mishi i pjekur në zgarë është ushqim karakteristik i Vlorës, i cili gjendet në çdo restorant. Afërsia me detin dhe cilësia e kullotave nga merret mishi, i japin atij një shije të pakrahasueshme, karakteristike e vetëm kësaj zone. Mishi i qingjit i Karaburunit, i gatuar në zjarr të hapur, është veçanërisht i shijshëm. Kosi në Vlorë prodhohet në mënyrë tradicionale dhe është ndryshe nga kosi i prodhuar në pjesën më të madhe të Evropës. Arapashi, i ngjashëm me qullin, gatuhet me miell misri, zorrët e qingjit, djathë dhe gjalpë. Rakia është pija alkoolike tradicionale e Shqipërisë dhe patjetër, edhe e kësaj zone. Kjo pije është zakonisht me bazë rrushi, por mund të gjeni edhe raki të bërë nga manaferrat dhe kumbullat. Të tjera pjata tipike për kuzhinën vlonjate janë ato me ushqim deti, peshk, midhje, karkaleca dhe gaforre.
Një histori e pasur
Shqipëria krenohet me historinë e saj të pasur që nis nga grekët dhe romakët e deri te osmanët dhe më pas vitet e saj nën një diktator socialist, Enver Hoxhën. Një pjesë e atraksionit gjatë vizitës në Muzeun Etnografik të Vlorës është “shijimi” i ndërtesës elegante të shekullit të 18-të që e strehon atë. Koleksioni i këtij muzeu përfshin kostume tradicionale dhe gjurmë nga traditat popullore të qytetit dhe rajonit përreth. Ndërkohë Muzeu i Relikeve Historike krijon një koleksion gjetjesh nga Vlora dhe rrethinat e saj.
Parku Arkeologjik i Orikumit është një perlë që vizitohet rrallë, e fshehur në një bazë detare në jug të qytetit. Nëse doni mund të pyesni në muzetë e lartëpërmendur për aksesin në ktë park, ku mund të shihni edhe rrënojat e tij të vjetra romake.
Vlora është Qyteti! Aty ku nisi Pavarësia e Shqipërisë. Monumenti ikonë i Pavarësisë dhe flamuri i dallgëzuar i vendit, janë homazhet për këtë ditë të rëndësishme për Shqipërinë.
Muzeu Kombëtar i Pavarësisë
Një shtëpi dykatëshe buzë detit në Vlorë, modeste në arkitekturë por e pasur me peshën e ngjarjeve që rrëfejnë historinë. Muzeu i Pavarësisë është vendi strategjik ku u ngrit flamuri kuq e zi me shqiponjën dykrenare dhe u shpall Pavarësia e Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Muzetë në mbarë botën ku historia e tyre dhe ndërtesat e tyre janë aq afër deti janë të rrallë. Brenda muzeut do të gjeni foto të organizuara, dokumente, armë, vepra arti, relike të personaliteteve shqiptare të periudhës së rilindjes dhe pavarësisë kombëtare.
Qyteti i Vjetër
"Lagjja Muradie" ose e njohur ndryshe si Qyteti i Vjetër, është një nga lagjet historike të qytetit të Vlorës dhe gjithashtu përbën një kompleks muze. Ajo mori jetë në mesin e shekullit të 19-të. Rruga që kalon nëpër të njihej fillimisht me emrin "Rruga e kafeneve", më pas në vitin 1912 u quajt rruga "Liria". Kjo lagje përbëhet nga një sistem arkitektonik i rregullt, me ndërtesa dy dhe tre katëshe në të dy anët e rrugës, me një sistem ndriçimi mjaft të mirë. Vite më parë Bashkia e Vlorës mori përsipër restaurimin e qytetit të vjetër, ku historia është e ndërthurur me modernen, duke e bërë qytetin e vjetër një nga destinacionet më të vizituara nga qytetarët dhe të huajt.
Arratisu në Zvërnec
Një urë prej druri “ngre kryet” mbi Lagunën e Nartës dhe të con në një ishull të vogël, i cili dikur ka qenë shtëpia e një komuniteti murgjish. Një vend ideal për një udhëtim gjysmë ditor nga Vlora, pasi ndodhet pak kilometra në veriperëndim të qytetit.
Zvërneci është një vend ku mund të marrësh frymë lirisht. Në të vërtetë ka pak për të parë dhe për të bërë, një ecje në qetësi mes pishave buzë ujit apo një vizitë në kishën e vjetër të Shën Mërisë të shekullit të 14-të, e cila është vendi i fundit i pushimit të një prijësi shpirtëror vendas. Në fakt është vetem një pjesë e një kompleksi të madh manastiri që vjen nga e njëjta periudhë, i cili u ndërtua në stilin bizantin.
Jeta e natës
Vlora është e njohur për jetën e natës dinamike, veçanërisht në netët e verës. Aty mund të gjeni çdo lloj klubi që dëshironi, në varësi të preferencave tuaja, klube që luajnë muzikë tradicionale popullore apo disko ku mund të festoni deri në mëngjes, me shqiptarët e rinj dhe të bukur dhe turistët e huaj.